Spar Albania mbështet World Vision në fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj fëmijëve
Spar Albania ka mbështetur aktivitetin “Në Labirint” që u organizua nga World Vision në qytetin e Korçës me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj fëmijëve.
Tashmë, në vitin e saj të dytë, projekti “Në Labirint” vjen në qytetin e Korçës. Në bulevardin qëndror të qytetit ishte vendosur dhe instalacioni në formë labirinti. Ky labirint, me sipërfaqe 400 m2 qendroi 5 ditë në bulevard dhe u vizitua nga afro 600 qytetarë, të cilët u bënë pjesë e një përvoje individuale sa sfiduese aq edhe reflektuese kundër dhunës ndaj fëmijëve. Për të gjetur daljen nga labirinti çdo vizitor duhej të përballej me disa dilema, që paraqesnin situata të jetës së përditshme me femijët. Gjatë rrugëtimit në labirint, qytetarët informoheshin për pasojat e sjelljes së tyre ndaj femijëve.
I pranishëm në prezantimin e këtij programi në qytetin e Korçës ishte Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, Drejtoresha e World Vision për Shqipërinë Eljona Boçe Elmazi, dhe Administrator i Spar Korça, Genci Nebiu.
“Procesi i ndërgjegjësimit është një rrugëtim i gjatë dhe jo pak i vështirë, i cili duhet të kultivohet brenda secilit prej nesh dhe në brezat pasardhës, me qëllim krijimin e një mjedisi social sa më të shëndetshëm për fëmijët, të cilët janë e ardhmja e këtij vendi.” tha gjatë prezantimit të Labirintit Genci Nebiu, Administrator i Spar për Korçën
Spar Albania dhe BALFIN Group e kanë mbështetur këtë projekt të World Vision që në fillimet e veta.
Bashkëpunimi i Spar me World Vision në Shqipëri tashmë hyn në vitin e katërt, i shtrirë në disa programe të ndryshme të World Vision. Një ndër programet më frytëdhënëse është ai “Tungjatjeta”. Falë këtij programi, sot, 200 fëmijë me aftësi të kufizuara në krahina të ndryshme të vendit marrin ndihmë të specializuar. Për çdo shishe uji “Spar” të shitur në marketet dhe hipermarketet e rrjetit, 5 lekë shkojnë në mbështetje të “Tungjatjeta”.
Çështje të tilla sociale janë dhe do të mbeten një prioritet për Spar Albania edhe në të ardhmen. Bashkëpunimet me aktorë socialë në Shqipëri do të gjejnë gjithmonë mbështetje me qëllim krijimin e një mjedisi social sa më të shëndetshëm.